Kërcënohet gjyqtari Shefqet Baleci, reagon KGJK-ja

Kërcënohet gjyqtari Shefqet Baleci, reagon KGJK-ja

Kronika August 06, 2025 - 12:53

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes një reagimi publik, ka dënuar ashpër sulmin dhe kanosjen ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Degës në Gllogoc, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shefqet Baleci.

KGJK-ja, përmes njoftimit në rrjetin social Facebook, ka thënë se sulmet e këtij lloji ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme dhe të patolerueshme dhe i dënon fuqishëm ato, raporton Zeri.info.

“Çdo akt i tillë përbën sulm ndaj sistemit të drejtësisë dhe ndaj vetë sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Këshilli Gjyqësor rikujton se siguria e gjyqtarëve nga sulmet dhe kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër krimit dhe dukurive negative.

“KGJK-ja mbështet fuqishëm gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, në shërbim të drejtësisë dhe interesit publik. Njëkohësisht, u bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e menjëhershëm të rastit dhe për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në njoftim.