Një trup i pajetë gjendet i groposur në Lipjan, Policia dyshon për vrasje të rëndë

Një trup i pajetë gjendet i groposur në Lipjan, Policia dyshon për vrasje të rëndë

Kronika August 04, 2025 - 20:16

Një trup i pajetë është gjetur i groposur në fshatin Baicë të Lipjanit, sot rreth orës 12:00. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka dhënë detaje të para rreth rastit.

“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar)”, ka deklaruar Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se trupi është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor:
“Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur menjëherë veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim”.

Bazuar në rrethanat e para, policia po e trajton rastin si vrasje të rëndë.
“Bazuar në rrethanat fillestare, dyshohet për vrasje të rëndë. Aktualisht, hetuesit janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e viktimës”, ka shtuar Ahmeti.

Policia ka thënë se më shumë informacione do të ndahen sapo të kenë rezultate nga hetimet.