
Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, 4 vjet e 11 muaj burgim për Millosh Antoviqin
Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dënim unik prej 4 vjetësh e 11 muajsh burgim dhe 20 mijë euro gjobë të akuzuarin Millosh Antoviq për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023 në Zveçan.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” Antoviqi u dënua me 2 vjet burgim, për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” u dënua me 3 vjet burgim, për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” u dënua me 6 muaj burgim, i cili i zëvendësohet me 18 mijë euro gjobë. Kurse për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” u dënua me 2 mijë euro gjobë.
Ndaj Antoviqit u shpall dënim unik me 4 vjet e 11 muaj burgim dhe 20 mijë euro gjobë. Dënimin me gjobë për dy veprat e fundit i akuzuari do ta paguajë me këste brenda dy vjetësh.
Po ashtu i konfiskohen arma, telefoni dhe narkotiku.
Kurse, në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. I njëjti obligohet të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 150 eurove dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.