
Dogana kap mallra të padeklaruara nga Stambolli, në vlerë mbi tre mijë euro
Dy udhëtarë që kishin arritur nga Stambolli janë kapur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me mallra të padeklaruara në vlerë prej 3.264 eurove.
Rasti është zbuluar gjatë kontrolleve rutinore të realizuara nga Dogana e Kosovës, përmes analizës së rrezikut dhe vëzhgimit të sjelljes së udhëtarëve.
Pas selektimit për kontroll të detajuar, nëpërmjet skanerit dhe inspektimit fizik të bagazheve, zyrtarët doganorë kanë hasur në produkte të ndryshme të padeklaruara, duke përfshirë produkte kozmetike, ambalazhe me mbishkrime të markave të ndryshme, ngjitëse/stikera me mbishkrime komerciale.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj udhëtarëve ka nisur procedura kundërvajtëse.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët se çdo mall që kalon kufirin duhet të deklarohet, në përputhje me Ligjin për Doganat. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe mund të rezultojë me gjoba apo konfiskim të mallrave.