Arrestohen tre persona në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

Arrestohen tre persona në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

Kronika August 01, 2025 - 14:31

Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, pas veprimeve hetimore në bashkërendim me Prokurorinë e Shtetit, si dhe me urdhër të gjykatës, ka realizuar një operacion policor nën dyshimet për përfshirje të disa personave në kryerje të veprave penale si “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.

Në njoftim, Policia ka bërë të ditur se operacioni policor është realizuar më datën 31.07.2025 në rajonin e Prishtinës, ku fillimisht janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko), si dhe kanë shpërndarë video përmes rrjeteve të ndryshme sociale duke tërhequr para në bankomate të ndryshme, si dhe kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale për të promovuar këto lloj kartelash.

“Lidhur me rastin gjatë kontrollit janë gjetur pajisje kompjuterike si dëshmi në vendin e ngjarjes, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Dy kompjutera, një laptop, dy telefona mobilë, tri USB, një HDD.

Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm, kësisoj me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë”.

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve intensive të njësive përkatëse policore të cilat kanë vazhduar, më datën 01.08.2025 është ndaluar edhe i dyshuari i tretë mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të personave të lartcekur, i cili po ashtu me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri