Policia e Prokuroria: S’ka tela me rrymë në ujin e Ujmanit
Foto: Laura Hasani

Policia e Prokuroria: S’ka tela me rrymë në ujin e Ujmanit

Kronika August 01, 2025 - 08:05

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, më 30.07.2025 ka nisur hetimin lidhur me deklarimet e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës.

Kryetari i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Milaim Vitija, ditë më parë ka deklaruar në media se në liqenin e Ujmanit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, të cilët, sipas tij, paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

Policia ka njoftuar se i njëjti është intervistuar sot në cilësinë e dëshmitarit, ku ka deklaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët, transmeton Zeri.info.

“Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast. Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik”.

“Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje”.

“Pas analizimit të të gjitha provave dhe informacioneve, Prokuroria Themelore Mitrovicë ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale”.

“Policia e Kosovës apelon te qytetarët të mos shqetësohen dhe të mos ndihen të frikësuar, pasi çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Po ashtu, Policia tha se njësitë përkatëse të Kontrollit Kufitar Ujor, si dhe njësi të tjera policore, vazhdimisht kryejnë patrullime të rregullta në liqenin e Ujmanit, me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe monitorimit të situatës në terren. /Zëri