
Gjendet 7-vjeçari nga Kosova, kishte humbur në plazhin e Shëngjinit
Një fëmijë nga Kosova është gjetur falë policisë në Shqipëri dhe vrojtuesve bregdetarë pasi kishte humbur në plazhin e Shëngjinit.
Sipas njoftimit të policisë, fëmija 7-vjeçar i është dorëzuar familjes në gjendje të mirë shëndetësore.Ai ishte larguar nga prindërit, por për fat të mirë falë reagimit të shpejtë dhe pas rreth një orë kërkimesh intensive në terren, i mituri ishte lokalizuar.
“Reagimi i menjëhershëm i Policisë dhe i vrojtuesve bregdetarë bëri të mundur gjetjen e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit. Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 7-vjeçar nga Kosova. Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Rendit të planifikuara me shërbim në zonën e plazhit në Shëngjin, së bashku me patrullat me biçikleta dhe vrojtuesit bregdetarë, u angazhuan dhe koordinuan veprimet për gjetjen e fëmijës. Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij. Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit bregdetarë për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit”, thuhet në postimin e Policisë së Shtetit.