
Sot, aktgjykimi ndaj Millosh Pleskoviqit për krime lufte në Prizren
Gjykata Themelore në Prishtinë do ta shpallë sot aktgjykimin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në qytetin e Prizrenit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 7 qershor 2024, Pleskoviq akuzohet se më 1 shtator 1998, në bashkëkryerje me një grup të armatosur prej 7-8 personash të nacionalitetit serb, ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve shqiptarë: R.D., B.D. dhe F.B., si dhe plagosjen e të mbijetuarve Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati.
Ngjarja ka ndodhur në Prizren, derisa viktimat po shkonin drejt malit.Sipas aktakuzës, grupi i armatosur serb i kishte ndalur dhe fyer me fjalë në gjuhën serbe, ndërsa Pleskoviq, i identifikuar si pjesëtar i këtij grupi, kishte hapur zjarr me armë të tipit “Kallashnikov”, duke lënë të vdekur tre nga viktimat në vendin e ngjarjes.
Detajet e aktakuzës përshkruajnë një skenë të rëndë: trupat e pajetë të viktimave u ishin dorëzuar familjarëve vetëm pas një jave, në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre kishte këmbën e prerë, ndërsa një tjetër nuk kishte kokë.
Për këto veprime, Pleskoviq po akuzohet për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, e paraparë me Nenin 142 në lidhje me Nenin 22 të Kodit Penal të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.