Për herë të dytë shkon në Apel çështja e paraburgimit të policëve për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan

Për herë të dytë shkon në Apel çështja e paraburgimit të policëve për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan

Kronika July 30, 2025 - 15:55

Gjykata e Apelit ka pranuar sërish ankesë lidhur me vendimin për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepër penale “vrasje nga pakujdesia” ndaj 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Apelit ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ankesa është pranuar më 25 korrik 2025.

“Ju njoftojmë se lënda me ankesë lidhur me këtë çështje është pranuar më 25.07.2025, në Gjykatën e Apelit dhe ka marrë shenjën PN1.DP.nr.1081/2025”, thuhet në përgjigje.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan më 9 korrik 2025 ua kishte caktuar paraburgimin për një muaj pesë të dyshuarve.

Kurse, Gjykata e Apelit- Departamenti i Përgjithshëm më 17 korrik 2025 kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, dhe sipas detyrës zyrtare kishte anuluar aktvendimin e Themelores.

Edhe në rivendosje, Themelorja më 23 korrik 2025 kishte vendosur sërish që të dyshuarit të mbeten në paraburgim.