
“Ndjekje si nëpër filma”, pamje nga arrestimi i të shumëkërkuarit në autostradën Tiranë - Elbasan
Policia e Shtetit ka dhënë detaje të një rasti në autostradën Tiranë - Elbasan, ku arrestuan të shumëkërkuarin Ilir Koçinaj.
I njëjti njihet si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare dhe cilësohet me rrezikshmëri shoqërore.
“Si rezultat i një pune të mirë-organizuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, finalizuan me sukses operacionin ‘Hierarkia, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi: Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.
59-vjeçari, u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën Tiranë–Elbasan”, thuhet në njoftim.
Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.