
Aktakuzë ndaj dy personave për shitje ilegale të biletave të festivalit “Sunny Hill”
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 janar 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj Roland Gashit dhe Urim Sylejmanit, të cilët ngarkohen se në cilësinë e punëtorëve gjatë festivalit “Sunny Hill” vitin e kaluar kanë bërë shitjen e biletave në mënyrë ilegale, duke i shkaktuar festivalit dëm në shumën 2 mijë e 90 euro.
Sipas aktakuzës, më 28 korrik 2024, në festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë, të pandehurit Roland Gashi dhe Urim Sylejmani, gjatë kujdesit për interesat pasurore të të dëmtuarës- festivalit “Sunny Hill”, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë keqpërdorur autorizimet e tyre si punëtorë të festivalit, derisa gjatë qëndrimit në hyrjen VIP të festivalit, duke qenë të obliguar të bëjnë skanimin e biletave, kanë bërë shitjen e tyre në mënyrë ilegale (shirita të dorës), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza thotë se i pandehuri Roland Gashi nga shitja e 13 biletave të hyrjes VIP dhe 20 biletave të thjeshta, ka përvetësuar për vete shumën në vlerë prej 2 mijë e 40 euro, ndërsa i pandehuri Urim Sylejmani, nga shitja e një bilete, ka përvetësuar për vete shumën prej 50 eurove.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, festivalit “Sunny Hill”, i përfaqësuar nga Visar Breznica, i kanë shkaktuar dëm material në vlerën prej 2 mijë e 90 eurove.
Me këto veprime, Gashi dhe Sylejmani po akuzohen se veç e veç kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga Neni 330, paragrafi 1 i Kodit Penal.