Vrasja makabre e 55-vjeçarit nga e bija dhe i dashuri i saj, lihen në burg autorët e dyshuar

Vrasja makabre e 55-vjeçarit nga e bija dhe i dashuri i saj, lihen në burg autorët e dyshuar

Kronika July 28, 2025 - 14:07

Tre të akuzuarit për vrasjen e Anesti Ramës u lanë në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë në fshatin Frashër të Patosit, ku viktima u dhunua për vdekje në banesën e tij.

Të pandehurit janë Emanilda Rama (vajza e viktimës), Valbona Rama (bashkëshortja e tij), dhe Çlirim Dogani. Të tre akuzohen se kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimit, i cili fillimisht u paraqit nga familjarët si një vdekje natyrale.

Burime nga avokatët mbrojtës bëjnë me dije se nënë e bijë kanë dhënë më shumë se tre deklarata të ndryshme gjatë hetimeve në këto ditë. Sipas avokatit, i cili ka qenë i pranishëm në marrjen në pyetje të dy grave në komisariatin e Fierit, ato kanë ndryshuar disa herë versionet e tyre të ngjarjes, duke treguar një paqëndrueshmëri të theksuar në dëshmi.

“Mospërputhja e dëshmive të tyre mund të jetë një përpjekje për të fshehur të vërtetën“, shprehet avokati, duke shtuar se ajo që të bie në sy është qetësia e pazakontë dhe mungesa e pendesës në qëndrimet e tyre.

Hetimet vijojnë dhe pritet që analizat e ADN-së të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes, veçanërisht për të përcaktuar rolin e saktë të Çlirim Doganit në këtë krim të rëndë.

Dyshohet se vajza fillimisht e ka goditur babanë e saj në organet gjenitale, dhe pasi ai ka rënë në tokë, Dogani e ka mbajtur nga duart teksa ajo e mbyste me tel.

Po ashtu dyshohet se ata kanë përdorur edhe mjete të forta dhe mjete prerëse.

Ndërkohë nëna e 26-vjeçares ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve dhe pastrimin e gjakut nga trupi i viktimës.

Krimi është zbuluar nga përgjimi i telefonit, ku 26-vjeçarja pas ngjarjes ka komunikuar me bashkëpunëtorin e saj, Dogani, që dyshohet se kishte lidhje intime me të. Ky i fundit ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve./tch