
Policia konfiskon një mjet të dyshuar afër Ambasadës Amerikane në Prishtinë
Policia e Kosovës ka marrë një informatë për një mjet të dyshuar të braktisur në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, në afërsi të Ambasadës së Amerikës.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operative për kontrollin e situatës.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një mjet të dyshuar në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’ në Prishtinë. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative, si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se mjeti nuk ka qenë shpërthyes”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Ai ka bërë të ditur se situata është nën kontroll dhe nuk ka asnjë kërcënim për qytetarët.