
Për kontrabandë me migrantë, aktakuzë ndaj një të dyshuari në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit U.K., për shkak të “dyshimit të bazuar mirë” se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Sipas Prokurorisë, në nëntorin e vitit 2024 ai i kishte marrë jashtë vendkalimit kufitar Kosovë-Shqipëri dy shtetas egjiptianë, një maroken dhe një sirian, të cilët do t’i transportonte deri në pikën kufitare Kosovë – Serbi.
“Sipas aktakuzës, më datë 19.11.2024, afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, i pandehuri U.K. merret me kontrabandim me migrantë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare ose të dobisë tjetër pasurore nga hyrja e paligjshme e personave në Republikën e Kosovës, të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që para ditës kritike pikërisht me datë 14.11.2024 merret vesh me personin e quajtur ‘A.’ për kohën se kur hyjnë migrantët në Kosovë dhe në ditën kritike fillimisht i pandehuri nga rent a car ‘Z.’ merr me qira një automjet ‘Golf 7’, me të cilin automjet në orët e pasdites niset në drejtim të pikës kufitare të Vërmicës, me ç ‘rast kur arrin në destinacion, fillimisht i pret të dëmtuarit, të cilët në mënyrë të kundërligjshme jashtë vendkalimit kufitar kishin kaluar vijën kufitare Kosovë – Shqipëri, merr në automjetin e tij të dëmtuarit: A.(A).F.- shtetas maroken, M.(W).R. - shtetas sirian, L.(M).A. -shtetas egjiptian dhe I.(S).A.,- shtetas egjiptian, të cilët në këmbim të dobisë pasurore ka pasur t’i transportojë deri në pikën kufitare Kosovë – Serbi. Gjatë transportit të të njëjtëve, i pandehuri U.K. ndalohet nga policia, ku në automjetin e tij janë hasur edhe të dëmtuarit e lartcekur dhe për shkak të ndalimit nga policia nuk kanë mundur t’i japin të pandehurit dobinë pasurore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, thotë Prokuroria.