
Dënohen tre të akuzuar me 12 vjet burgim gjithsej për sulmin ndaj KQZ-së në veri
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë me nga pesë vjet burgim Millun Millenkoviqin – Llunen dhe Aleksandar Vllajiqin, ndërsa Dejan Pantiqin me dy vjet burgim për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.
Miomir Vakiq është liruar nga akuzat, sepse nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale.
Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “Akt terrorist”.
Ata akuzoheshin se kanë sulmuar zyrat e KQZ-së me bomba dore dhe mjete shpërthyese, me qëllim – siç thuhet në aktakuzë – “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas Prokurorisë, nga ky sulm janë rrezikuar seriozisht jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në seancën e parë, të mbajtur në fund të janarit 2024, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Millenkoviqi dhe Vllajiqi ndodhen në paraburgim, ndërsa Vakiqi dhe Pantiqi po mbrohen në liri. /Rel