
Vazhdojnë kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se u mbyt në Ujman
Po vazhdojnë kërkimet për gjetjen dhe identifikimin e një 33-vjeçari, që dyshohet se është mbytur në liqenin e Ujmanit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se rreth orës 14:30, viktima dyshohet se është hedhur në liqen për t’u larë dhe që atëherë nuk është parë më të dalë në sipërfaqe.
“E saktë është që një person ka kërcy nga ura dhe nuk ka dalë nga uji. Në vend të ngjarjes janë njësitet policore dhe emergjenca, janë thirrë njësia e zhytsave”, ka thënë shefi i operativës rajonale në Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza.
Në kërkim të tij janë angazhuar edhe njësitet e Shoqatës për Kërkim-Shpëtim të Kosovës, të cilët po punojnë në terren për të ndihmuar në gjetjen e trupit.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim është angazhuar sot, më 27 Korrik 2025, në operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit, për identifikimin dhe gjetjen e një personi 33-vjeçar, i cili dyshohet se është mbytur.
Kërkimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe ekipet specializuese të terrenit dhe zhytjes. Ekipi ynë po vazhdon me përkushtim maksimal për të ofruar ndihmë në këtë situatë të rëndë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e trupit. /Telegrafi