Bllokohen 33 mjete lundruese në Shqipëri, ndëshkohen pronarët

Bllokohen 33 mjete lundruese në Shqipëri, ndëshkohen pronarët

Kronika July 27, 2025 - 16:05

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare gjatë kësaj jave janë intensifikuar monitorimet dhe kontrollet të njësive përkatëse të Policisë së Shqipërisë, dhe si rezultat nga Ksamili në Koman janë kontrolluar 452 mjete lundruese nga të cilat 33 janë bllokuar.

Sipas policisë, tetë prej tyre u bllokuan për shkelje të perimetrit të sigurisë, ku drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.

Po ashtu në njoftimin e policisë bëhet e ditur se nëntë persona (shqiptarë dhe të huaj) u shpëtuan në det, përmes ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.

Sakaq, mjetet e bllokuara janë 19 jet ski, 8 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

“Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, që të mos shkelin perimetrin e sigurisë, të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit. Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare apo të masave të sigurisë, në numrin pa pagesë 112, duke u garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi”, thuhet tutje në njoftim.