
Dogji rreth 600 hektarë në Parkun Kombëtar të Dajtit, arrestohet bariu 63-vjeçar që ndezi zjarrin
Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit.
I arrestuari është shtetasi B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, gjatë punës së tij si bari, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”.
Zjarri, i ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta, është përhapur me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe prej rreth 600 hektarësh me kullota dhe bimësi në zonat e Grykës së Mullinit dhe Qafës së Qershisë – të gjitha brenda kufijve të Zonës së Mbrojtur të Parkut Kombëtar të Dajtit.
Njoftimi:
Tiranë/Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i zjarrvënies së djeshme, në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa.
Dyshohet se ndezi zjarr në një sipërfaqe kullotë, duke shkaktuar djegien e rreth 600 hektarëve me bimësi dhe sipërfaqe natyrore në Parkun Kombëtar të Dajtit, arrestohet 63-vjeçari.
Pas njoftimit të marrë se në vendin e quajtur “Mali me Gropa” kishte rënë zjarr, shërbimet përkatëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë.
Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale apo të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.