Prokuroria në Pejë kërkon paraburgim për katër të dyshuarit për detyrim

Prokuroria në Pejë kërkon paraburgim për katër të dyshuarit për detyrim

Kronika July 25, 2025 - 09:42

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Xh.K., D.K., A.K. dhe L.Sh. për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit Xh.K., D.K., A.K. dhe L.Sh. më datë 23 korrik 2025, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin, që të kryejë një veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte blerë një patundshmëri nga ish-pronari, detyrojnë për të paguar shuma të konsiderueshme të parave, fillimisht shumën prej 20.000 (njëzetmijë) eurove, me pas edhe 30.000 mijë, derisa janë arrestuar në flagrancë nga policia e Kosovës, përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Gjithashtu, i pandehuri L.Sh. dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së.

“Prokurori i Shtetit, gjatë seancës së procedurës paraprake, do të kërkojë nga gjyqtari që të pandehurve t’u caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri