Ndahet nga jeta stomatologia dhe humanistja e njohur, Dr. Violetta Hanna Begolli – reagon ambasadori i Kosovës në Poloni

Ndahet nga jeta stomatologia dhe humanistja e njohur, Dr. Violetta Hanna Begolli – reagon ambasadori i Kosovës në Poloni

Kronika July 24, 2025 - 17:19

Ndarja nga jeta e Dr. Violetta Hanna Begolli, stomatologe e njohur dhe humaniste e shquar, ka lënë një boshllëk të thellë në komunitetin mjekësor të Pejës dhe më gjerë.

Kontributi i saj profesional dhe njerëzor gjatë dekadave të vështira në Kosovë është vlerësuar lart nga shumë figura publike, përfshirë edhe trupin diplomatik të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një telegrami dërguar nga Varshava në adresë të familjes Begolli në Pejë.

Në telegramin e tij, ambasadori Gashi shkruan:

“Familje e nderuar Begolli në Pejë,

Ngushëllimet më të sinqerta me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes dhe nënës tuaj, Dr. spec. Violetta Hanna Begolli.

Më vjen shumë keq që të shoh këtë lajm. Ju ngushëlloj si Ambasador i Kosovës në Poloni me autoritetin tim zyrtar dhe personal për veprën e znj. Strelecka-Begolli, nënës dhe bashkëshortes tuaj të dashur.”

Dr. Violetta Hanna Begolli, me origjinë nga Polonia, kreu studimet e saj në stomatologji në Universitetin e Szczecinit dhe më pas i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Beogradit. Gjatë atyre viteve, u njoh me stomatologun shqiptar Remzi Begolli, me të cilin kurorëzoi dashurinë në vitin 1974 dhe u vendos në qytetin e Pejës.

Gjatë viteve të 90-ta, në një periudhë kur Kosova po kalonte sfida të mëdha nën pushtimin serb, Dr. Violeta u bë dentistja e parë jo-serbe në Pejë dhe një prej pak zërave të shpresës për qytetarët shqiptarë. Ajo ofroi shërbime ortodontike falas për mësimdhënësit dhe punëtorët e sektorit shëndetësor që ishin larguar me dhunë nga puna.

Përveç angazhimit humanitar në vend, ajo dha kontribut të çmuar edhe në sensibilizimin ndërkombëtar për gjendjen e shqiptarëve të Kosovës, duke përfaqësuar me dinjitet dhe përkushtim vlerat humane dhe profesionale.

Dr. spec. Violetta Hanna Begolli ndërroi jetë më 23 korrik, në moshën 74-vjeçare, pas disa komplikimeve koronare. Ajo u nda nga jeta në Spitalin Amerikan në Prishtinë, e rrethuar nga familja dhe kolegët e saj të dashur.

Ceremonia mortore do të mbahet sot, më 24 korrik, në ora 18:00, në varrezat e qytetit të Pejës.

Kosova humbi një grua me vizion, përkushtim dhe shpirt të madh. Ngushëllime të sinqerta familjes Begolli dhe të gjithë atyre që patën nderin ta njohin Dr. Violetën.