
Arrestohet drejtori i Urbanizmit dhe tre zyrtarë të tjerë në Gjakovë
Katër zyrtarë të komunës së Gjakovës në mesin e të cilëve edhe drejtori i Urbanizmit janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas komunikatës së policisë aksioni për arrestimin e tyre është bërë pas hetimeve të kryera në koordinim me prokurorin.
“Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrat e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë”.
Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e mbrojtësve të tyre, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe me aktvendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë.