Lirohen nga akuza për korrupsion dy ish-zyrtarët e Aeroportit

Lirohen nga akuza për korrupsion dy ish-zyrtarët e Aeroportit

Kronika July 23, 2025 - 11:19

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special ka shpallur aktgjykim lirues ndaj dy ish-zyrtarëve të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, të akuzuar për korrupsion.

Në këtë rast, Bahri Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) dhe Driton Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në ASHNA, akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke ia mundësuar OE “TCN International” SHPK nga Tirana që të fitojë kundërligjshëm tenderin dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-së.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Kujtim Krasniqi dhe anëtarët: Lutfi Shala dhe Vesel Ismajli.

Sipas gjykatësit Krasniqi, gjatë gjykimit janë dëgjuar dëshmitari dhe grupi i ekspertëve, të cilët kanë ardhur në konstatimet se të akuzuarit nuk kanë kryer vepër penale.

“Në bazë të provave dhe ekspertizës së fundit, nuk ka rezultuar se në veprimet e të akuzuarve janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën janë akuzuar”, tha gjykatësi Krasniqi.

Krasniqi tha se pala e pakënaqur ka të drejtë ankesë në afat prej 30 ditësh pasi që vendimin ta pranojë me shkrim, si dhe pala e dëmtuar-Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Prezent në shpallje të aktgjykimit nuk ishin të akuzuarit Nuredini dhe Mehaj dhe askiush nga Prokuroria Speciale, ndërkaq prezantoi mbrojtësi i Nuredinit, avokati Agron Selimaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzoheshin se në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktit akuzues, Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) dhe Mehaj në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në ASHNA, akuzoheshin se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” SHPK, me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 eurove. /BetimipërDrejtësi