Dy të plagosur në Doganaj të Ferizajt, pas një përleshjeje mes një polici dhe një qytetari
Foto: Laura Hasani

Dy të plagosur në Doganaj të Ferizajt, pas një përleshjeje mes një polici dhe një qytetari

Kronika July 21, 2025 - 08:07

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përleshjeje me armë zjarri që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Doganaj të Ferizajt.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Sot, më 21 korrik 2025, rreth orës 00:50, policia rajonale ka pranuar një informatë për një rast të gjuajtjes me armë zjarri në fshatin Doganaj. Në këtë incident janë përfshirë dy persona, ku si pasojë të dy kanë mbetur të plagosur”, tha Veseli.

Sipas Veselit, në përleshje ishin të përfshirë një qytetar që po udhëtonte me veturën “Golf 7” dhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, i cili ndodhej në një veturë BMW.

“Për shkak të përfshirjes së një zyrtari policor, është njoftuar menjëherë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me ta dhe me prokurorin kujdestar të krimeve të rënda”, tha Veseli.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy veturat e përfshira, dy armë zjarri të llojit pistoletë, 16 gëzhoja dhe një predhë.

“Të plagosurit janë dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Sipas stafit mjekësor, ata janë jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Veseli.

Ai shtoi se policia ka intervistuar gjithashtu dy dëshmitarë që ndodheshin në njërën nga veturat në momentin e incidentit.

Rasti është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë. /rtk