
Rrahje mes disa personave në një lokal në Lipjan, gjashtë prej tyre përfundojnë në spital
Një përleshje fizike ka ndodhur sot mes disa personave në një lokal në Lipjan.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Telegrafin se sot rreth orës 11:30 është pranuar informata për një rrahje në një lokal në Lipjan.
“Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes gjashtë persona janë lënduar dhe të njëjtëve menjëherë është ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Dy nga personat e lënduar nën përcjellje të policisë janë duke u trajtuar në QKUK, ndërkohë që katër të tjerë pas trajtimit mjekësor, janë shoqëruar në polici për intervistim”, ka deklaruar Ahmeti.
Ajo tutje tha se policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.