Po lëvizte i armatosur dhe gati për qitje në shëtitoren e Shëngjinit, arrestohet 21-vjeçari

Po lëvizte i armatosur dhe gati për qitje në shëtitoren e Shëngjinit, arrestohet 21-vjeçari

Kronika July 19, 2025 - 13:47

Policia e Shqipërisë ka arrestuar një person në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit po lëvizte i armatosur.

Policia njofton se ka sekuestruar armën e zjarrit automatike tip “Scorpion”, municion luftarak, 2 celularë, 1 automjet dhe 1 motomjet që i përdorte 21-vjeçari.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në të dhënat e siguruara për një shtetas që lëvizte me armë zjarri, në Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria”. Gjatë operacionit, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin K. V., që po mbante një armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar”, njofton policia.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 1 armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole, dhe 2 krehra me municion luftarak për këtë armë.

Në vijim të veprimeve, shtetasi K. V., 21 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.