
Mbajti fjalim fyes kundër UÇK-së, policia ndalon Igor Popoviqin
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, është ndaluar nga Policia e Kosovës në Bërnjak dhe po dërgohet në stacion për procedura të mëtejshme.
Lajmin për RTK-në e kanë konfirmuar zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas informacioneve, arrestimi i Popoviq ka të bëjë me një deklaratë të tij të mbajtur në Rahovec, ku ai ka përdorur gjuhë të ashpër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë organizatë terroriste dhe duke krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Gjithashtu, në këtë deklaratë ai ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.
Policia e Kosovës vazhdon procedurat lidhur me këtë rast.