Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë zyrtarëve të arrestuar për keqpërdorim detyre, vendimi i gjyqtarit brenda dy orëve
Foto: Laura Hasani

Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë zyrtarëve të arrestuar për keqpërdorim detyre, vendimi i gjyqtarit brenda dy orëve

Kronika July 18, 2025 - 13:29

Përfundoi seanca dëgjimore ndaj pesë zyrtarëve të arrestuar të Agjencisë Kadastrale dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”.

Vendimi për caktimin ose jo të masës së paraburgimit pritet të merret brenda dy orëve.

Avokati Driton Muharremi, mbrojtës i Medih Bahtirit, deklaroi pas seancës se kërkesa e Prokurorisë për paraburgim është e pabazuar dhe duhet të refuzohet.

“Sapo ka mbaruar seanca për paraburgim sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj pesë të dyshuarve për vepra që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Aty janë dy grupe të pandehurve, dy janë që punojnë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ndërsa tre në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Prokuroria ka gati dy vjet që është duke u marrë me këtë hetim. Ne e kemi kundërshtuar ashpër këtë kërkesë sepse është e pabazuar për faktin se sipas meje dhe kolegëve tanë, nuk ka pasur dyshim të arsyeshëm për të njëjtit, pavarësisht që vepra penale ka ndodhur, por jo nga këta, sepse këta kanë punuar vetëm detyrat që kanë qenë në përshkrimin e detyrave të tyre, përkatësisht për të mbrojturin tim”, tha Muharremi.

Ai shtoi se ka dorëzuar procesverbalet përkatëse dhe se klienti i tij ka vepruar brenda detyrës zyrtare, ndërsa për pjesën e veprës penale për të cilën dyshohet, nuk ka pasur fare kompetenca.

“Ne i kemi dorëzuar sot gjykatës procesverbalet, edhe në polici kemi insistuar se lënda në fjalë ka ardhur nga Gjykata e Qarkut në Prizren me procesverbal dhe e verifikuar dhe është nga inspektorët e Arkivit është konstatuar se i plotëson kushtet për t’u vendosur në arkiv. I mbrojturi im, në momentin kur e ka dhënë një kopje të autorizuar, ka qenë një detyrë që është në përshkrim dhe e ka gjetur lëndën në arkiv, e ka proceduar në filtra të tjerë, ndërsa për pjesën tjetër e kam theksuar se nuk ka qenë duke punuar në atë pjesë – dyshohet për diçka për të cilën ky nuk ka punuar fare në atë institucion sepse ka lëvizur në një punë tjetër”, tha ai, raporton EO.

Muharremi tha se është i bindur që “së paku gjykata në këtë rast do të caktojë një masë alternative”.Ndërkaq, avokati Alban Arifi, mbrojtës i Veton Bytyqit, tha se pret që kërkesa për paraburgim të refuzohet.

“Sot u mbajt seanca lidhur me caktimin e paraburgimit për rastin e zyrtarëve të arrestuar para dy ditëve, të zyrtarëve të kadastrit dhe të arkivit. Ne i paraqitëm kundërshtimet tona lidhur me caktimin e paraburgimit dhe presim nga gjykata që të refuzohet kjo kërkesë dhe të lirohen me procedurë të rregullt… Sigurisht që do të parashtrojmë ankesë sepse besojmë që nuk ka bazë të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit. Është çështje që është duke u hetuar që dy vite dhe kushtet të cilat kërkohen për masën e paraburgimit nuk ekzistojnë”, tha ai.