“Mbi 3 mijë euro dëmtim të buxhetit të Kosovës”, Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarin doganor
Foto: Zëri / Ilustrim

“Mbi 3 mijë euro dëmtim të buxhetit të Kosovës”, Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarin doganor

Kronika July 18, 2025 - 10:43

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin I.K., zyrtar doganor në Pikën Kufitare në Vërmicë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas Nenit 414, paragrafit 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17, në Pikën Kufitare në Vërmicë.

I.K., në cilësinë e zyrtarit doganor, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat zyrtare duke mos kryer kontrollin e automjetit të llojit “Mercedes Sprinter 316 CDI”, i cili drejtohej nga A.K.

“Në kundërshtim me rregullativën ligjore që ka pasur për detyrim të ndalë veturën, të hap bagazhin dhe të bëjë kontrollimin e veturës, i njëjti me qëllim nuk e hap bagazhin e veturës dhe nuk bënë kontrollimin”, thuhet në komunikatë.

Pas një komunikimi të shkurtër mes dy personave – brenda dhe jashtë kabinës doganore – drejtuesi i furgonit largohet pa u kontrolluar, ndërsa zyrtari doganor, sipas Prokurorisë, në të dhënat zyrtare SEED regjistron se furgoni ishte i zbrazët.

Më pas, automjeti është ndalur nga Njësia për Antikontrabandë në rrugën e vjetër Vërmicë–Prizren, pranë një restoranti. Pas kontrollit të bërë nga njësia policore, u konstatua se furgoni ishte i mbushur me mallra komerciale – atlete të ndryshme sportive në vlerë prej 11,457.60 €, ndërsa vlera e detyrimeve doganore të shmangura është 3,414.36 €.

“Me të cilat veprime, i pandehuri në vlerën e cekur prej 3,414.36 €, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, sqaron Prokuroria.

Prokuroria Themelore në Prizren thekson se do të vazhdojë angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe kontrabandës:

“Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në fund të komunikatës.