Temperatura të larta në sallën e gjykimit, anulohet seanca për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”
Foto: Laura Hasani

Temperatura të larta në sallën e gjykimit, anulohet seanca për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”

Kronika July 18, 2025 - 10:37

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të premte, për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit, është anuluar seanca ndaj gjashtë të akuzuarve për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, ku kishin mbetur të vdekur dy persona.

Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M dhe P.S dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Anulimi i seancës u bë i ditur nga Zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Alban Ajvazi, ku u tha se trupi gjykues ka vlerësuar se për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit dhe vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kufizimit e orarit të punës, është anuluar seanca e sotme.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 gusht 2014, saktësisht nga prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ngarkon Bejtullah Mehmetin, Luan Qerkinin, Bekim Sumën, Fadil Sadikun, Afet Dalloshin, Arbresh Dalipin dhe Mehmet Mehmetin.

Në pikën e parë, të akuzuarit ngarkohen se më 24 shtator 2007, Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin (të dy këta të dënuar tashmë për të njëjtën vepër penale) dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskrupullt ose për motive të tjera të ulëta, dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, privuan nga jeta N.M. dhe P.S.

Sipas aktakuzës, kjo ndodhi duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhese në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shkelje të neneve 23 dhe 147, par. 4, 9 dhe 11 të Kodit Penal të Kosovës.

Aty thuhet se pas një historie të gjatë dhune ndërmjet policisë në Ferizaj, policëve të Njësisë ROSU dhe Enver Sekiraqës, dhe pas vrasjes së policit Triumf Riza, vrasje e cila në aktakuzë thuhet se “besohet të jetë urdhëruar nga Enver Sekiraqa”, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU planifikuan hakmarrje kundër Sekiraqës, duke hedhur në erë me bombë lokalin e tij në Prishtinë. Lokali thuhet se ndodhej në një zonë të populluar banesore, që ishte plotë me bare e restorante. Kurse, bomba thuhet se u vendos në muajin e Ramazanit më 24 shtator 2007, kur lokalet ishin të hapura për njerëzit që bënin syfyrin. Madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, thuhet se do të thoshte se të pandehurit kishin për qëllim të vrisnin.

Në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe gjithashtu në bashkëkryeje me tani të dënuarit për të njëjtën vepër penale, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive tjera të ulëta dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, ndërmorën veprim të menjëhershëm për të privuar nga jeta Xh.S., V.Z., L.N., G.S., E.N., N.H., F.B., L.K., Sh.S., M.K dhe T.K., duke vendosur dhe shpërthyer mjetin plasës në lokalin “Sekiraqa”, duke u shkaktuar lëndime të rënda personave të lartpërmendur.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” në shkelje të neneve 20, 23 dhe 147, par. 4, 9 dhe 11 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, do të thoshte se të dyshuarit kishin për qëllim të vrisnin dhe kjo ndodhi pasi u vranë dy persona, si dhe tentuan të vrisnin 11 të tjerët.

Pika e tretë e aktakuzës, ngarkon të akuzuarit Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti se në bashkëkryerje me tani të dënuarit për këtë vepër Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, shkaktuan rrezik të përgjithshëm të jetës njerëzore, duke shpërthyer një mjet plasës të improvizuar, të vendosur në katin përdhesë të një ndërtese në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, u shkaktoi lëndime të rënda trupore 11 të tjerëve, si dhe shkaktoi dëme të mëdha pasurore në pronën dhe pasurinë e disa aktiviteteve tregtare në Prishtinë.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” me shkelje të neneve 23 dhe 291, par. 1 dhe 5 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU, ekzekutuan një plan dhe u takuan në Fermën e Deleve në Racaj një ditë para ditës kritike (23 shtator 2007), nga aty thuhet se dy persona u dërguan për të marrë mjetin plasës, minë kundër-tank dhe dy armë.

Aktakuza thotë se plani ishte të hidhet në erë lokali “Sekiraqa”. Pasi ishin kthyer, thuhet se i akuzuari Dalipi dhe dy të akuzuarit Mehmeti ishin udhëzuar çfarë të bënin, kurse Dalloshi thuhet se i la policët të ekzekutonin planin e tyre dhe i kishin pritur në një lokal në Kaçanik. Të dy veturat e Policisë, thuhet se ishin siguruar nga të akuzuarit Suma dhe Sadiku, e targat ia fshehu i akuzuari Bejtullah.

Në aktakuzë thuhet se pas kësaj, anëtarët e grupit nisen me vetura për Prishtinë për ta ekzekutuar planin. Bomba ishte vendosur në lokal rreth orës 2:10 mëngjesin e 24 shtatorit 2007, ku si pasojë u vranë dy persona dhe u lënduan 11 të tjerë.

Historia procedurale

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit ishin hetuar në vitin 2007 pasi dyshoheshin se ishin përfshirë në shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”. Nga deklaratat e dëshmitarëve në vendngjarje më 2007, thuhet se ishte e qartë se në rast ishin përfshirë tetë policë në dy automjete të Policisë.

Në përfundim të hetimeve, u ngrit aktakuzë ndaj Besnik Hasanit, Shpend Qerimit dhe N.C., për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë. Kurse, Luan Qerkini, Bejtullah Mehmeti, Fadil Sadiku e Bekim Suma, nuk u akuzuan ngase nuk kishte prova të mjaftueshme.

Aktakuza e parë u ngrit më 12 gusht 2008, aktgjykimi u shpall më 22 shtator 2009, ku Hasani dhe Qerimi u dënuan me 25 vjet burgim, kurse N.C., u lirua nga akuzat. Vendimi u bë i prerë më 25 maj 2012.

Hetimi dhe aktakuza thuhet se ka nisur nga dëshmitë dhe provat e reja që kanë dalë në dritë nga vendimi lidhur me aktakuzën e parë. /BetimipërDrejtësi