Sot, seanca gjyqësore për rastin “Banjska”
Foto: Laura Hasani

Sot, seanca gjyqësore për rastin “Banjska”

Kronika July 18, 2025 - 07:56

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca gjyqësore e radhës për rastin “Banjska”. Seanca do të mbahet ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Ndryshe, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, nga 45 të akuzuarit sa janë gjithsej për këtë sulm terrorist në krye me kriminelin Millan Radoiçiq, akuzohen për kryerje të veprave terroriste, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Përveç tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar nga drejtësia kosovare, 42 të akuzuar, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.

Më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Millan Radoiçiq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Millan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Më 18, 21, 22 dhe 24 korrik janë caktuar seancat për vazhdimin e gjykimit në këtë rast.