
Një muaj paraburgim ndaj shtetasit të Shqipërisë, dyshohet për 11 vjedhje
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaij të pandehurit R. M., shtetas i Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer 11 vepra penale kundër pasurisë.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se i pandehuri dyshohet se nga 6 deri më 15 korrik të këtij viti në fshatra dhe lagje të ndryshme të Komunës së Gjakovës, ka kryer një varg veprash penale të karakterit të njëjtë, duke depërtuar me forcë në shtëpitë e personave të cilët jetojnë jashtë vendit, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë.
“Në disa raste, ai ka tentuar të kryejë vjedhje pa arritur të marrë ndonjë send, ndërsa në shumicën e rasteve ka arritur të marrë pasuri të ndryshme të cilat për momentin janë me vlerë të papërcaktuar. Po thuaj në të gjitha rastet, ka depërtuar në hapësira të mbyllura duke thyer dritare apo dyer, veprimet e tij janë regjistruar nga kamerat e sigurisë apo janë vërejtur nga persona që po e mbikëqyrnin pronën”.
“Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer një (1) vepër të vjedhjes në tentativë, nëntë vepra të vjedhjes së rëndë dhe një vepër të vjedhjes së rëndë në tentativë. Gjyqtarja e procedurës paraprake Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i ikjes, rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe i ndikimit në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.