Arrestohet një polic për spiunazh
Foto: Laura Hasani

Arrestohet një polic për spiunazh

Kronika July 17, 2025 - 11:42

U arrestua një polic gjatë operacionit kundër spiunazhit, ka konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë që është aksion shumë i rëndësishëm dhe që e rrit sigurinë.

“Kështu rritet besimi në organet e sigurisë”, deklaroi ai para nisjes së seancës së 48-të konstituive të Kuvendit.RTV Dukagjini raporton se bëhet fjalë për togerin B.J., serb i Kosovës, i dyshuar për spiunazh.

Ai kishte pozitë udhëheqëse në Polici dhe dyshohet se ka ndarë informacione konfidenciale të Kosovës me shërbimin sekret të Serbisë, BIA.

Arrestimi i tij në aksionin e përbashkët të AKI-së, PSRK-së dhe IPK-së, ka ardhur pas një hetimi një vjeçar që u zhvillua ndaj tij.

Togeri i arrestuar është epror i Policisë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për këtë aksion që është duke ndodhur nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit.

Qytetarë serbë të Kosovës por edhe shqiptarë janë arrestuar viteve të fundit për spiunazh te BIA.

Madje, ka pasur edhe dënime të gjykatave për këtë, siç është rasti i fundit i Aleksander Vllajiq, që u dënua me 5 vjet burgim për spiunazh, vepër të cilën e pranoi vet që e ka kryer.