Prokuroria Themelore në Prizren ngre aktakuzë ndaj një personi për fajde

Prokuroria Themelore në Prizren ngre aktakuzë ndaj një personi për fajde

Kronika July 17, 2025 - 11:17

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.K., i cili ngarkohet për fajde.

Prokurori njofton se i pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit nga 13 marsi 2025.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., nga muaji korrik i vitit 2023 dhe në vazhdimësi deri më 6 mars 2025, për vete apo për personin tjetër pranon dhe kontrakton shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, papërvojën dhe paaftësinë e viktimës V.Q., për të gjykuar.

“Duke filluar nga muaji korrik i vitit 2023, ia jep viktimës V.Q., shumën e të hollave prej 5,000.00 € (pesëmijë euro) për të cilën shumë e ngarkon viktimën me 15% kamatë, pra duke e obliguar atë t’ia kthejë 6,000.00 € (gjashtëmijë euro), duke vazhduar më tej, brenda një kohe të shkurtër, ia jep viktimës edhe dy herë nga 10,000.00 € (dhjetëmijë euro) në total 20,000.00 € për të cilat të holla e ngarkon të njëjtin me 20% kamatë, praktikisht duke e obliguar atë t’ia kthejë 24,000.00 € (njëzet e katërmijë euro) dhe fill pas kësaj, viktima sërish pranon nga i pandehuri shumën e të hollave prej 25,000.00 € (njëzet e pesëmijë euro), të cilën shumë për shkak të vonesave disa ditore në pagesa, është detyruar ta paguajë në total shumën prej 40,000.00 € (katër dhjetë mijë euro), për të cilën më pas ka vazhduar të paguajë nga 6,000.00 € (gjashtëmijë euro) kamatë për muaj, me ç’rast aktualisht shuma e detyrimit prej 40,000.00 € (katër dhjetë mijë euro) ka arritur vlerën prej 51,000.00 € (pesëdhjetë e njëmijë euro)”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se përveç kësaj, viktima pajtohet që nga i pandehuri ta blejë edhe një veturë, të cilën pas tre muajve do ta paguante 38 mijë euro.

“Për blerjen së cilës ia paguan të pandehurit këstin e parë prej 8,000.00 € (tetëmijë eurosh), mirëpo pavarësisht se i pandehuri ia pranon pagesën e shumës prej 8,000.00 € (tetëmijë euro), ia merr sërish dhunshëm veturën, madje duke e obliguar atë që t’ia paguajë shtesë edhe 6,000.00 € (gjashtëmijë euro) të tjera me justifikimin se viktima e kishte shfrytëzuar veturën për një kohë të shkurtër, ku përveç të tjerash, viktima me qëllim që t’i rikuperojë humbjet financiare, është detyruar që të hedh në shitje edhe dy banesa të tij, me ç’rast i pandehuri ka arritur t’i shkaktojë viktimës humbje financiare rreth 100,000.00 € (njëqind mijë euro) nga të cilat humbje, viktima vazhdon t’i detyrohet të pandehurit edhe 48,000.00 € (katërdhjetë e tetë mijë euro) të tjera dhe përveç të tjerash, pas arrestimit të të pandehurit dhe zbatimit të urdhër-kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij, policia ka sekuestruar një shumë të të hollave prej 8,985.00 € (Tetëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë euro); 580.00 CH (Pesëqind e tetëdhjetë franga zvicerane); 1.000.00 $ (Një mijë dollarë amerikanë) dhe 17.700.00 lekë shqiptare si dhe një veturë”, njofton Prokuroria.

Andaj, me këto ekziston dyshimi i bazuar mirë se janë dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime, E.K. akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga Neni 331, par. 3 lidhur me par. 1 dhe nenin 77, par. 2 lidhur me par. 1, pikat: 1.1; 1.2; 1.3; 1.4 dhe 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.