Prokuroria flet pas bastisjeve në Prishtinë, Ferizaj e Shtime
Foto: Laura Hasani

Prokuroria flet pas bastisjeve në Prishtinë, Ferizaj e Shtime

Kronika July 16, 2025 - 18:35

Pas bastisjeve dhe arrestimeve të kryera sot në Agjencinë Kadastrale dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një komunikatë zyrtare, në të cilën ka sqaruar se aksioni është zhvilluar në kuadër të një hetimi penal që ka të bëjë me dyshime për bartje të kundërligjshme të pronës publike në pronësi private.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, njofton opinionin publik se në kuadër të çështjes penale me shenjën PP.I.126K/23, ka realizuar sot bastisje dhe kontroll të autorizuar nga Gjykata, në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime,” thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë, kontrollet janë zhvilluar në dy institucione shtetërore: Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës, si dhe disa lokacione tjera me interes për hetimin.

“Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona: M.B., V.B., B.SH., M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar,” thuhet më tej në komunikatë.

Prokuroria njofton se hetimet janë të lidhura me një rast të falsifikimit të dokumentacionit gjyqësor për të kaluar pronën publike në duar private.

“Hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. Prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përkatësisht e ndërmarrjes shoqërore RTP,” bën të ditur Prokuroria.

Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se mbetet e përkushtuar në ndjekjen e veprave penale që cenojnë interesin publik dhe pasurinë e shtetit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që dëmtojnë interesin publik dhe pasurinë publike,” përfundon komunikata.