
Dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Policia thotë se aksioni po zhvillohet në tri komuna
Policia e Kosovës ka nisur bastisjet në objektin në të cilin ndodhen disa agjenci shtetërore, duke përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për “Zërin” se aksioni po zhvillohet në tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor i cili përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Zeri.info.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se, pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë. /Zëri