Prokuroria kërkon dënimin me burgim për të miturin e dyshuar për vrasjen e policit në Kaçanik

Prokuroria kërkon dënimin me burgim për të miturin e dyshuar për vrasjen e policit në Kaçanik

Kronika July 15, 2025 - 16:39

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur ndaj të miturit të dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor M.L., ngjarje kjo e ndodhur më 1 prill 2025 në Kaçanik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rreth orës 23:00 të asaj nate, në rrugën “Idriz Seferi”, i mituri në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, me qëllim të përgatitur paraprakisht, ka privuar nga jeta zyrtarin policor.

Viktima, pasi kishte përfunduar orarin e punës, ishte ndjekur deri te hyrja e banesës së tij nga i mituri dhe të pandehurit.

Sapo ishte futur brenda ndërtesës dhe po ngjitej shkallëve, i mituri kishte hyrë pas tij dhe kishte shtënë katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm.

Brenda një periudhe prej rreth 47 sekondash nga akti i të shtënave, i mituri është larguar me vrap në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku është bashkuar me të pandehurin R.M., i cili e kishte pritur jashtë. Gjatë arratisjes, dëgjohet R.M. duke thënë “Bravo, ik”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat, viktima M.L. ka ndërruar jetë, çka është konfirmuar edhe në raportin e autopsisë.

Prokuroria konsideron se i mituri ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje, sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I mituri ndodhet nën masën e paraburgimit që nga 21 prilli 2025.