
Situata e zjarreve në Shqipëri, katër vatra ende aktive
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri në Shqipëri, nga të cilat katër vatra janë ende aktive.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Prrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë.
Sipas Minisitrisë së Mbrojtjes atje, në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 394 forca operacionale.
“I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë. Ftojmë qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura, të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve”, thonë nga kjo ministri.