
Gjykimi për vrasjen e Liridonës vazhdon sot, pritet të dëshmojë vëllai i saj
Sot (e hënë), nga ora 09:00, në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të vazhdojë seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Sipas juristes për media, Flutura Kusari, gjatë seancës pritet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim në agjendë. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi të saj në rrjetin social Facebook.
“Nesër në 9.00 vazhdon gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Pritet që nesër të dëshmojë vllau i Liridonës, Leonardi (nëse nuk ka ndonjë ndryshim). Shpresoj që mediat do të na bashkohen në ndjekjen e seancës”, ka shkruar Kusari.
Ditë më parë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës.
Në raport theksohet se “tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”.
Gjithashtu, ekspertët nuk kanë gjetur asnjë shenjë të abuzimit me substanca narkotike apo alkool, e as ndonjë pengesë në zhvillimin mendor që do të ndikonte në perceptimin e realitetit.
Tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë deklaruar rreth fajësisë.
Për vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Murselit, Plavës, Kokallës dhe Dodajt më 15 janar të 2025-tës. Ademaj u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ndërsa rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë grabitjes.