
“E prangosëm, e vendosëm në ambulancë e ndërkohë njoftuan që s’ka shenja jete” - deklaratat e plota të pesë policëve
Pesë zyrtarët policorë të paraburgosur për rastin tragjik të Agon Zejnullahut në Lipjan, të cilin po hetohen nën dyshimet se e vranë nga pakujdesia, kanë dhënë deklaratat e tyre para Prokurorit të Shtetit për natën tragjike të 7 korrikut.
Klankosova.tv ka siguruar kërkesën e plotë të Prokurorit të Shtetit, ku janë të përfshira dëshmitë e secilit zyrtar policor, të intervistuar në cilësi të të dyshuarve, të cilat i gjeni më poshtë.
Deklarata e rreshterit Ibrahim Nela:
“Në momentin kur kemi mbërritur në lokacion zyrtari policor Albiani ka qenë duke drejtuar veturën e Policisë dhe e ka pasur dritaren hapur dhe aty kemi vërejtur personin Agon Zejnullahu, i cili sapo na ka vërejtur është nisur në drejtim tonin dhe ne kemi dashur ta pyesin se çfarë ka ndodhur apo çfarë ka por i njëjti ka filluar të fyejë me fjalë por nuk jam i sigurt çfarë fjalë ka përdorur e më pas me dorë ka kapur derën e parë të shoferit dhe në momentin që Albiani e ka vërejtur se i njëjti po dëshiron të na sulmoj apo godas, ka vazhduar me automjet për rreth 20 metra përpara dhe jemi ndalur.
Pasi kemi dalë nga vetura qytetari në fjalë ka vazhduar në drejtim tonin dhe për ta ndalë pasi që i njëjti veç ishte afruar afër, kolegu Albiani ka dhënë komandë verbale për tu ndalë, por pasi që i njëjti nuk është ndalë atëherë kolegu Albani është detyruar të përdor sprejin lotsjellës për të ndalë sulmin ndaj neve. Pas përdorimit të sprejit i njëjti është tërhequr dhe është futur në një automjet që ka qenë në rrugë i modelit VW Golf dhe është ulur në ulësen e shoferit dhe i njëjti ka qenë jashtë kontrollit, nuk ka ditur se çfarë ka folur, çdo herë i ka ngritur duart duke nënkuptuar që të mos e sulmojmë edhe pse gjatë gjithë kohës kemi komunikuar me të dhe i kemi thënë të qetësohet, në të njëjtën kohë kemi ftuar ambulancën dhe një njësi policore për asistencë. Gjatë kësaj kohe kam vërejtur që qytetari në fjalë ka pasur një të qarë mbi vetullën e majtë e cila i rrjedhte gjak, ka pasur sytë më të rritur, ka qenë pothuajse tërësisht i djersitur dhe gjendja e tij psikike ka qenë jashtë kontrolle pothuajse totalisht dhe ka bërë veprime të çuditshme edhe pse ne tërë kohën jemi munduar ta qetësojmë, po ashtu një shok i tij i ka folur tërë kohës duke u munduar ta qetësonte duke i thënë që tani vjen ambulanca dhe do ti japë ndihmën e parë. Ndërkohë në asistencë ka ardhur edhe një njësi policore në përbërje prej dy zyrtarëve policor dhe deri sa kemi qenë duke biseduar me të dyshuarin për ta qetësuar i njëjti ka dalë me vrull nga vetura dhe për ta ndalur unë e kam kapur për krahu dhe ndërkohë kanë reaguar edhe zyrtarët policor të tjerë për ta futur nën kontroll dhe të njëjtit i kemi vendosur prangat.
Gjatë tërë kohës i njëjti ka rezistuar duke mos i afruar duart dhe duke gjuajtur me shqelma edhe pse ka qenë i shtrirë me gjoks për toke, por vlen të ceket se qytetari ka qenë i ushtruar fizikisht dhe ka pasur forcë shumë të madhe edhe pse në pamje të parë nuk dukej dhe kjo ka qenë arsyeja që është dashur të përdoret forca duarthatë për ta futur nën kontroll. Pasi që i kemi vendosur prangat të njëjtin kemi tentuar ta ngrisim për ta vendosur në pozitën ulur, por aty e kemi parë që gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë dhe kemi marrë ujë ku jemi munduar ta freskojmë dhe ndërkohë ka ardhur autoambulanca e cila nga thirrja jonë është vonuar shumë edhe pse në afërsi nga vendi i ngjarjes është rreth 500 metra, të cilëve u kemi ndihmuar ta vendosin në lesë dhe më pas e kanë vendosur në autoambulancë dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore, ndërkohë të njëjtit kanë njoftuar që qytetari nuk ka shenja jete”, ka deklaruar Nela.