Zjarri në Rudar të Zveçanit lokalizohet me ndërhyrjen e zjarrfikësve nga të dy Mitrovicat

Zjarri në Rudar të Zveçanit lokalizohet me ndërhyrjen e zjarrfikësve nga të dy Mitrovicat

Kronika July 08, 2025 - 19:02

Një zjarr ka shpërthyer sot rreth orës 14:30 në fshatin Rudare, Komuna e Zveçanit, duke shkaktuar dëme të vogla materiale, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës dhe u afrua pranë një shtëpie, duke dëmtuar pjesërisht murin dhe një kontejner të vendosur afër, por pa depërtuar brenda objektit.

Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit e Mitrovicës Veriore, të Zveçanit, si dhe me asistencën e zjarrfikësve nga Mitrovica e Jugut, të cilët arritën ta lokalizojnë zjarrin me sukses.

Elshani bëri apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar rëndësinë e mos ndezjes së zjarreve në hapësira të ndjeshme dhe shmangien e pirjes së cigares në vende ku mund të shkaktohen zjarre.

“Lusim qytetarët që në rast të zjarreve të lajmërojnë menjëherë Policinë ose Zjarrfikësit për të parandaluar përhapjen e rrezikut,” theksoi ai.

Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet dhe vëzhgimin e zonës për çdo rrezik të mundshëm./teve1