Gjykimi për aksidentin me fatalitet në Shtupel të Klinës, pala e dëmtuar kërkon nga Apeli rikualifikim të veprës penale
Foto: Laura Hasani

Gjykimi për aksidentin me fatalitet në Shtupel të Klinës, pala e dëmtuar kërkon nga Apeli rikualifikim të veprës penale

Kronika July 08, 2025 - 15:41

Në Gjykatën e Apelit të martën është mbajtur seanca në rastin ndaj Eraj Temajt, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë – Dega në Klinë ishte dënuar me 2 vjet burg. Prokuroria ka kërkuar ashpërsim të dënimit, mbrojtja e të akuzuarit aktgjykim lirues ose rigjykim, ndërkaq pala e dëmtuar kërkoi rikualifikim të veprës penale.

Eraj Temaj është dënuar nga Themelorja me dy vite burgim pasi është shpallur fajtor për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022-ës ku kishte vdekur 23-vjeçari. Aktgjykimi dënues ndaj Temajt ishte shpallur më 14 nëntor 2024 në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, nga gjykatësja e rastit Sabrije Rracaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës në Apel, gjyqtari referues Ali Kutllovci tha se ankesë ndaj vendimit të Themelores ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Temaj, avokati Flamur Kelmendi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me dënimin.

Kutllovci ka propozuar që i akuzuari të lirohet nga akuza apo rasti të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar ankesë kundër vendimit të Themelores lidhur me sanksionin penal, duke propozuar ashpërsimin e dënimit.

Ankesë kundër vendimit të Themelores ka parashtruar edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe sanksionin penal.

Prezent në seancën e Apelit ishte i akuzuari Temaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Kelmendi, i cili kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij.

Po ashtu, prezent ishte edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ilir Gashi, i cili tha se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me veprën penale të “Rrezikimit të trafikut publik”, por me vepër tjetër penale. Kjo sipas tij pasi në ekspertizën mjeko-ligjore thuhet se vdekja ka ardhë si pasojë e veprimit mekanik të mjetit mprehtës të fortë.

Avokati Gashi kërkoi rikualifikimin e veprës penale nga shkalla e dytë, pasi që sipas tij, një kërkesë e tillë nuk është përfillur nga Prokuroria dhe as nga gjykata e shkallës së parë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Eraj Temaj, po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit.