Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Kronika July 08, 2025 - 14:29

Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Trupa e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me relatore gjyqtaren Albana Boksi u mblodh sot për të dëgjuar argumentet, pjesë e ankimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve, kundër masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK-u se ndërtuan një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK-ut, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive.

Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO-ja ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë. /tch