
Vdes një grua në Qafë të Duhlës, pas përplasjes së motoçikletës me një qen endacak
Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistalen Suharekë – Shtime, konkretisht në vendin e quajtur “Qafa e Duhlës”.
Në njoftimin e Policisë thuhet se një çift shtetas maqedonas (A.S. 1979 – mashkull dhe D.M. 1985 – femër), derisa ishin duke udhëtuar me një motoçikletë nga qyteti i Shtimes në drejtim të qytetit të Suharekës, te vendi i quajtur Qafa e Duhlës një qenë endacak u del në rrugë, me ç’rast drejtuesi i motorit humb kontrollin e motorit dhe përplasen.
“Si pasojë e përplasjes së motorit, pasagjerja D.M., 1985 (femër), ka mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes, derisa drejtuesi i motorit A.S., 1979 ka mbetur i lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës së bashku me Emergjencën me të pranuar informacionin ka dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku ka konfirmuar vdekjen e viktimës derisa i është dhënë ndihma mjekësore të lënduarit.
“Të gjitha veprimet policore janë duke u ndërmarr konform procedurave atë parapara me ligj. Prokurori i shtetit është informuar lidhur me rastin. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi”, thuhet tutje në njoftim.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Magjistralja Suharekë – Shtime është e qarkullueshme për lëvizjen e qytetarëve.