
IPK-ja rekomandon suspendimin e një zyrtari policor pas përdorimit të armës jashtë detyrës zyrtare
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të një zyrtari policor të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, pas një incidenti të ndodhur mbrëmë në një fshat të Komunës së Kamenicës.
Sipas njoftimit zyrtar të IPK-së, dyshohet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri jashtë detyrës zyrtare, për motive që ende nuk janë sqaruar.
Pas pranimit të informacionit për incidentin, hetuesit e IPK-së kanë nisur menjëherë veprimet hetimore, ndërsa Prokuroria Themelore në Gjilan është vënë në dijeni dhe ka autorizuar hapjen e hetimeve preliminare.
Zyrtari policor po hetohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa arma e përdorur është sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme.
IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim të ngushtë me prokurorinë për të ndriçuar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij incidenti, ndërkohë që Policia e Kosovës pritet të zbatojë rekomandimin për suspendim të përkohshëm të zyrtarit të dyshuar.