Policia në Mitrovicë parandalon përleshje të planifikuar mes dy grupeve, arrestohen 15 persona
Foto: Laura Hasani

Policia në Mitrovicë parandalon përleshje të planifikuar mes dy grupeve, arrestohen 15 persona

Kronika July 04, 2025 - 22:48

Policia e Kosovës ka parandaluar një përleshje fizike të planifikuar mes dy grupeve të rinjsh në Mitrovicën e Jugut, duke arrestuar pesëmbëdhjetë persona të dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, pas pranimit të informatave operative që tregonin për një konfrontim të mundshëm mes grupeve të të rinjve.

Reagimi i shpejtë dhe i koordinuar i njësive policore të Stacionit Jug ka bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe neutralizimin e situatës para përshkallëzimit të saj në dhunë fizike.

Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit janë ndaluar në dy lokacione të ndryshme dhe janë shoqëruar në stacionin policor.

Intervistimi i tyre po zhvillohet në praninë e prindërve dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale (QPS), ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorin kompetent.

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe raportimin e rasteve që rrezikojnë sigurinë.