Zjarri në Elbasan vijon prej 72 orësh – mbi 100 forca në operacion, përfshirë edhe ndërhyrje ajrore

Zjarri në Elbasan vijon prej 72 orësh – mbi 100 forca në operacion, përfshirë edhe ndërhyrje ajrore

Kronika July 03, 2025 - 18:12

Prej më shumë se 72 orësh, vijon puna intensive për izolimin e një vatre të madhe zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan.

Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave, si në nivel lokal, ashtu edhe qendror.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar mbi 100 forca nga Bashkia Elbasan, bashkitë fqinje dhe Forcat e Armatosura. Ndërhyrja është përqendruar në izolimin dhe shuarjen e flakëve me ndihmën e 10 mjeteve zjarrfikëse dhe 20 mjeteve të tjera të specializuara.

“Mjetet e rënda vetshkarkuese dhe forcat xheniere po punojnë njëkohësisht për mbulimin e vatrës, ndërkohë që pompat thithëse me kapacitet të lartë po heqin ujin direkt në zonën aktive,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Operacioni mbështetet gjithashtu nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet një ekip i posaçëm i ekspertëve të Forcave të Armatosura që kryejnë matje të vazhdueshme për ndotjen dhe rrezikshmërinë mjedisore.