Shtatë vjet burgim shoferit që shkaktoi aksident në Gjakovë, ku vdiqën mjeku dhe shoferi i autoambulancës

Shtatë vjet burgim shoferit që shkaktoi aksident në Gjakovë, ku vdiqën mjeku dhe shoferi i autoambulancës

Kronika July 03, 2025 - 13:54

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me shtat vjet burg të pandehurin K.P. për shkaktim të rrezikut në trafik.

Sipas Gjykatës, i pandehuri është gjetur fajtor për shkaktimin e aksidentit të datës 30.06.2022 në Gjakovë, ku mbeti i vdekur një mjek dhe shoferi i një autoambulance, raporton Zeri.info.

“I pandehurit K. P. është gjetur fajtor sepse ‘më datë 30.06.2022, rreth orës 12:05 minuta në lagjen ‘Dardania’ në Gjakovë, saktësisht përball marketit ‘E.’, nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se me një veprim të tillë të do të vijë deri te pasoja e ndaluar, lehtas e ka marrë se gjerë tek ajo nuk do të vjen apo në momentin e duhur do t’i shmanget dhe me këtë u shkakton vdekjen tani të ndjerëve M. S. dhe S. G., në atë mënyrë që derisa i pandehuri K. P. ishte duke drejtuar automjetin e tipit ‘VW Golf’, me targa ..-...-.., fillon të bëjë kthim të pasigurt nga ana e djathtë në të majtë e drejtimit të lëvizjes së tij, duke ia marrë përparësinë e lëvizjes automjetit të tipit ‘Opel’ me targa ...-..-.. (autoambulancës së QKMF-së në Gjakovë), e cila vinte nga drejtimi i Pejës për në Gjakovë me drita vezulluese dhe alarmin sinjalizues, ashtu që në pamundësi që t’i shmanget aksidentit, automjeti i ambulancës me pjesën e parë e godet veturën e të pandehurit në pjesën anësore të anës së djathtë, me ç’rast vetura e të pandehurit gjatë rrokullisjes e godet veturën e tipit ‘Mercedes 208’ me targa ..-...-.. pronë e të dëmtuarit A. D., ndërsa autoambulanca devijon jashtë rrugës dhe e godet veturën e tipit ‘Golf 2’ me targa ..-...-.. pronë e të dëmtuarës K. M., si dhe veturën e tipit ‘Kia Sorento’, pronë e të dëmtuarit P. O., ku si pasojë e këtij aksidenti, përveç dëmeve materiale, kanë vdekur S. Gj. më datë 01.07.2022 dhe M. S. më datë 05.07.2022, ndërsa lëndime të rënda trupore pësojnë A. A., Z. D. dhe F. B., të cilët ishin në automjetin e ambulancës, lëndime këto të përshkruara në ekspertizën mjekoligjore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Gjykata njofton se i pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës të paguajë shumën prej një mijë e shtatëqind (1700) eurove dhe koha e kaluar në paraburgim nga data 30 qershor 2022 e deri më datë 21 nëntor 2023 do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

“Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet ndër të tjera. /Zëri