Kërkohet kohë shtesë për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, anulohen dy seanca të planifikuara
Foto: Laura Hasani

Kërkohet kohë shtesë për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, anulohen dy seanca të planifikuara

Kronika July 01, 2025 - 14:24

Dy seanca të planifikuara në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, janë anuluar për shkak se Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Murseli.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për ekspertim. Trupi gjykues ka vendosur të zgjasë afatin për ekspertimin e të akuzuarit Naim Murseli”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” gjykatësja Fatime Dermaku.

Kështu, seancat e planifikuara për 2 dhe 9 korrik 2025 janë anuluar.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.