Sot seanca ndaj policit që akuzohet për aksidentin me fatalitet, ku vdiq e reja Zana Gjevukaj

Sot seanca ndaj policit që akuzohet për aksidentin me fatalitet, ku vdiq e reja Zana Gjevukaj

Kronika June 30, 2025 - 10:43

Sot në Gjykatën Themelore në Pejë do të mbahet seanca ndaj policit Argjend Kastrati, i cili akuzohet për aksidentin me fatalitet në Qyshk, ku vdiq e reja Zana Gjevukaj.

Ndaj tij aktakuza ishte ngritur më 11 qershor.

Kështu deklaroi Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

Nikçi tha se prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime të menjëhershme në drejtim të hetimit të rastit.

Ai tha se zyrtari i Policisë së Kosovës është arrestuar në ditën e ndodhjes së aksidentit dhe brenda 48-orësh është dërguar në arrest shtëpiak me aktvendim të Gjykatës.

Siç bëri të ditur ai, masën e arrestit shtëpiak e ka kërkuar prokurori i shtetit, masë kjo që është në fuqi deri më 1 korrik.

“Prokurori i shtetit e ka trajtuar me prioritet, ku përveç intervistimit të gjitha palëve, sigurimit të provave, ekspertizave, me datë 11.06.2025 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K, për veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1, të Kodit Penale të Republikës së Kosovës”, tha Nikçi në një përgjigje me shkrim për Klankosova.tv.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës theksoi se zyrtari policor e ka pranuar fajësinë para prokurorit.

Polici Kastrati, derisa po e drejtonte automjetin e tij në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në Qyshk e goditi me veturë Zana Gjevukajn, të cilës i shkaktoi lëndime të rënda trupore.

Si pasojë e plagëve të rënda, ajo vdiq në QKUK më 4 maj.

Po ashtu në aktakuzë i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues i marrjes së patentës së shoferit.

“I pandehuri A.K. ka pranuar fajësinë para prokurorit të Shtetit. Kurse, përveç kërkesës nga prokurori i Shtetit që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë, ka propozuar t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues ‘Marrja e lejes së vozitjes’”, tha Nikçi.