Trafikonin armë në Tiranë, Policia e Shqipërisë publikon pamje nga arrestimi i dy kosovarëve
Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka arrestuar dy shtetas të Kosovës për trafikim të armëve.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit bëhet e ditur se është finalizuar operacioni policor i koduar “Suspend”, ku është goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen.
“Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë, të cilët dyshohet se i kanë trafikuar 2 pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10 000 euro. Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Suspend’, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën Lezhë – Fushë-Krujë, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Policia njofton se po vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.